Sunday, 24 March 2013


A mos vallë, dëshiron ndryshimin pa e ndryshuar vetveten?!



Falënderimet dhe adhurimet i takojnë vetëm All-llahut, Krijuesit të të gjitha botërave, të Parit, Pa fillim, të Fundit, Pa mbarim, Atij që nga dukshmëria u bë i Padukshëm, krijoi njeriun prej një pikë uji, ia mësoi atë që nuk e dinte dhe e bëri mëkëmbës të Tij në tokë, duke i zbritur fjalët që ishin plumb i hedhur drejt botës së mykur dhe pranverë e ardhur pas një dimri të acarshëm, kurse paqa, mëshira, mirësitë dhe begatitë e Pronarit të këtyre qofshin mbi atë që  shkeli tokën, atëherë, kur ajo kishte nevojë për të, u solli banorëve të saj atë, prej së cilës ishin të privuar, u kumtoi atë që nuk u ishte kumtuar, jotëprivilegjuarit i privilegjoi, femrës i dha drejtën e trashëgimisë, në kohën kur ajo trashëgohej, pra mbi atë, bëmave të të cilit nuk mund t’i largohemi, deshëm apo s’deshëm, ngase ai na mësoi që nga prerja e thonjve deri te rregullimi shtetëror, për kë tjetër, pos për krijesën më të dashur të Krijuesit, Muhammedit s.a.v.s., dhe mbi të gjithë ata që ndjekën, ndjekin dhe do të ndjekin gjurmët e tij deri në ditëm kur nuk do të ketë më vepra pa llogari, por llogari pa vepra.

Para se ndjenjat të bëhen shkronja dhe shkronjat ndjenja më lejoni të përmend shkaqet apo motivet  që më shtynë t’i qasem kësaj tematike apo, më mirë thënë, problematike, të cilat ishin të shumta e që në fakt përbëjnë të ashtuquajturin “realitet i hidhur”. Nuk them që do të zbres diçka te re në mejdan, përkundrazi do të mundohem të jem sa më logjik dhe duke u mbështetur në prova e argumente të pamohueshme të jem sa më afër rrugës së vërtet, dhe ecja racionale e shoqërisë tonë të jetë sa më efektive. Gjithashtu do të mundohem t`i flas fillimisht me këto fjalë zemrës time, të ndikoj te mendja ime, të vë në lëvizje reagimet shpirtërore dhe të aktivizoj forcën e intelektit, sidomos, kur jetojmë dhe ballafaqohemi me një mjedis të shthurur i cili paraqet rrezik dhe influencon negativisht tek njeriu, duke e zhytur atë në injorancë dhe duke e mbajtur larg arsyes, që kështu ai lehtë të dorëzohet dhe të mbledh mllef ndaj logjikës e përmirësimit.
Në rrugën në të cilën kemi filluar të kalërojmë, të jemi të vetëdijshëm që do të hasim në pengesa të shumta, do të shkelim mbi kurthe e gryka të thella të cilët në çdo mënyrë do të mundohen të na e presin rrugën. Këto veshtirësi nuk janë ndoshta diçka që preken e goditen me të cilat lirshëm mund të përleshemi e t`i mposhtim, përkundrazi janë çështje shumë diskutabile, aty ndoshta shpërfillja dhe mirëfillja janë të dashuruara.
Si armik i parë i kësaj rruge ashtu edhe siç thotë një autor është përtacia, zaten thuhet që njeriu karakterzohet si gjallesë përtace. Ajo(përtacia) ndoshta nuk shfaqet gjithnjë me po të njëjtën maskë,ndonjëherë i ndërronë rolet sikur artisti pa punë, herë shfaqet si mik i sinqert, herë si armik me sëmundje ngjitëse. Andaj të jemi të kujdesshëm se, nëse përtacia është sëmundje mund të ndikohemi prej saj, lehtë mund të kalojmë në dembelizëm, mospërfillje, shpërfillje etj. këtu nuk kemi të bëjmë me sëmundje organike, por me vese të armatosura të cilët kurrë nuk thonë “pardon”. Na takon të jemi gjurmues, që kështu ta godasim përtacin me vullnet dhe t`i japim goditjen përfundimtare këtij vesi kaq të egër, dinak e të maskuar. Pra, thamë që vullneti është arma që duhet luftuar përtacin e vesin e keq, ajo atë e gjunëzon dhe e asgjëson si uji kripën, e shpërfill dhe e fundos në burgun e çelikt që ndoshta vetëm kufoma e pajetë del që aty. Pra, puna dhe vullneti qenkan dy arsyet dhe shtyllat të cilat mundësojnë që njeriu të ngritet në piadestalin më të lartë në mesin e gjallesave, gjithmonë duke i mbetur borxh vullnetit të vet i cili përveç që ishte shërues ishte edhe ndryçues në ngritjen e tij si personalitet. Mund të konkludojmë se njeriu, sidomos i riu para vetes ka dy rruge: njëra e dërgon atë në sukes, tjetra në humnerë. Njëra rrugë është optimiste dhe pozitive, ndërsa tjetra është pesimiste e negative, i mbetet atij të zgjedh, edhe pse pasojat e rezultatet i potencuam më lartë, do t`i potencojm edhe më poshtë..
Njëher në Francë u burgosën dy poetë të  lartë, njëri ishte optimist dhe tjetri pesimist. Ata të dy shikuan nga dritaret e burgut, njëri shikoi yjet dhe qeshi, ndërsa tjetri shikoi dheun e tokës dhe qau. Njëri e pa që e keqja nuk egzisotn pa të mirën dhe se pas çdo të keqe fshihet një urtësi dhe një e mirë, aty ndoshta fshihet një fitore ose ndonjë shpërblim, ndërsa tjetri nuk e vërejti këtë gjë.
Rruga optimiste dhe pozitive padyshim që është një rrugë e qartë dhe e dëlirë, ajo të thërret dhe të mbron nga opcioni i dytë i cili të tërheq në njeri me një jetë të zbrazur, të bënë pronar të mashtrimeve dhe thashethemeve, mbetesh si vetura pa shofer e cila shpejton dhe lëkundet herë në të djatht e herë në të majtë. Atë ditë do të hasesh në brengosje, mërzi e shqetësim, konfuzion e dëshprim, vuajtje e asgjë më shumë. Andaj, them që qysh tani të ngrihemi dhe t`a mposhtim të kotën, të fillojm me një punë të frytshme në vend të kësaj shthurrjeje vrasëse e cila ndoshta nuk të vret, por i ngjason dënimit në burgjet e Kinës, me vendosjen e të burgosurit ndër gypin që pikon për çdo minutë nga një herë dhe kështu i burgosuri goditet me çmenduri.
Kemi shum shembuj bindës si p.sh. shohim që bujqit, barinjtë, muratorët, farkatarët, zdrukthtarët, xehtarët, inxhinierët, mësuesit vazhdimisht këndojnë me zërin e bilbilit, janë të lumtur e të rehatshëm dhe në mbrëmje me vrull shtrihen në shtrat për t`u zgjuar përseri në një jetë ku ka punë, përpjekje, ambicie, ku lotët janë present, por ndoshta nga gëzimi. Jeto ashtu siç je krijuar me po të njëjtin zë, me të njëjtën ecje, me të njëjtin theks, duro, duro sepse i vetmi send që nuk  i dihet shpërblimi është durimi, do të arrij ajo që mungon, do të udhëzohet i humburi, do të pushoj i lodhuri, do të shoqërohen një ditë loti dhë buzëqeshja, frika dhe siguria, do të vijë një ditë e re, e cila padyshim me lejen e Zotit do të sjell dicka te re.
Sepse, të stolisesh me këto cilësi siç janë vullneti, puna, morali, durimi është forcë, andaj duro duke qenë i bindur në rrugëdalje dhe me shpresë për një përfundim të mirë…!
Besoj dhe shpresoj që ky punim i pakursier nga gabimet, të cilat janë fryt i paditurisë dhe jo dëshirës time, të jetë sado pak një përmbushje e urdhërit hyjnor, “ të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh nga e keqja”, dhe faktor që do të ndikoj në zëvendësimin e antivlerave me vlera, kështu që shoqëria jonë të jetë shoqëri, në njeriun e së cilës do të mishërohet ekuilibrimi i shpirtërores dhe materials, gjë që është sinonim i mirëqenies në shoqëri.
Fare në fund, mos harro se “All-llahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre” (Rad,11).

No comments:

Post a Comment

Bota ime Po të mos ishe ti bota ime Kujt do t'ia dedikoja dashurinë? Po të mos ishe ti bota ime Kush do të ma jepte lumturinë? ...